Nga: Sefer Zogaj
Një 22-vjeçar me iniciale D.G është ankuar në platformën “IdeoNgiritja”, se nuk po e merr pagën nga një kompani e tekstilit në të cilën ai është i punësuar përmes programit “Super Puna”.
Ai ka thënë se është ankuar se pse pagesa e tij minimale prej 500 eurosh nuk po i transferohet. Sipas rrëfimit të tij, pronari i ka thënë se “shteti akoma nuk na ka transferuar akoma”.
D.G tha se është i vetëdijshëm se ka pasur periudha kur shteti nuk i ka transferuar paratë, por jo edhe në këtë kohë.
“Fajin e ka kompania, ata nuk po më transferojnë mjetet”, ka rrëfyer ai.
Shteti nuk po i shet paret!
S.K, një vajzë 20-vjeçare nga Prishtina ka rrëfyer në platformën “IdeoNgritja”, se në fund të vitit 2025 paratë nuk janë transferuar nga shteti.
Ajo ka thënë se me të njëjtin problem janë përballur edhe shumë edhe disa shokë e shoqe që punojnë përmes “SuperPunës”.
“Rrogat nuk na kanë dalë, kam mendu që është faji i kompanisë, por jo doli të jetë Ministria që nuk i ka transferuar paratë tona për Super Punen”.
Ajo ka rrëfyer se ka ndjehur pasiguri të thellë duke punuar përmes këtij programi, duke shtuar se “kishte ankth, nëse do t’i transferoheshin mjetet financiare apo jo”.
Çka është “SuperPuna” dhe si funksionon
“SuperPuna” është një skemë e punësimit të subvencionuar, e krijuar nga Qeveria e Kosovës për të lehtësuar hyrjen e të rinjve në tregun e punës. Programi u lansua më 6 shkurt 2023 nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, me synimin që përmes mbështetjes financiare të shtetit të krijoheshin mundësi të reja punësimi për të rinjtë.
Në fazën fillestare, programi ishte i dedikuar për të rinjtë e moshës 18 deri në 25 vjeç. Përmes tij, shteti subvenciononte pagën e të punësuarit në nivelin e pagës minimale, e cila në atë kohë ishte 264 euro bruto, për një periudhë gjashtëmujore. Punëdhënësit kishin mundësinë që, nëse dëshironin, të paguanin një shumë shtesë mbi këtë pagë. Paga minimale tashmë ka ndryshuar.
Skema funksionon përmes një platforme online ku regjistrohen si punëkërkuesit, ashtu edhe bizneset. Të rinjtë aplikojnë për pozita të ofruara nga punëdhënësit, ndërsa përzgjedhja dhe bashkëpunimi realizohen në bazë të pozitave dhe veprimtarive për të cilat bizneset kanë nevojë. Në këtë mënyrë, subvencionimi shtetëror synon të ulë koston fillestare të punësimit për bizneset, ndërsa të rinjve t’u mundësojë përvojën e parë ose një mundësi më të lehtë për t’u futur në tregun e punës.
Kur programi u lansua, Qeveria kishte vendosur si objektiv punësimin e 10 mijë të rinjve në vit. Ideja ishte që “SuperPuna” të shërbente si një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e shtetit për t’i ndihmuar të rinjtë në kalimin nga papunësia drejt tregut të punës.
Që nga lansimi, skema ka pësuar disa ndryshime. Një prej tyre është zgjerimi i grupmoshës përfituese, duke u mundësuar aplikimi edhe të rinjve deri në moshën 29-vjeçare. Ndryshim ka pasur edhe në vlerën e subvencionit, pasi paga bazë e programit është rritur në 500 euro.
Megjithëse kohëzgjatja e subvencionimit ka mbetur gjashtë muaj, një nga kushtet aktuale është që aplikuesi të mos ketë qenë i punësuar gjatë tre muajve të fundit. Pra, programi është i orientuar drejt personave që kanë qenë jashtë tregut të punës dhe synon t’u krijojë atyre mundësi për të hyrë ose për t’u rikthyer në punësim.
Zbatimi i “SuperPunës” bëhet nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Sipas të dhënave që APRK, gjatë vitit 2024 përfitues të programit kanë qenë 6,741 të rinj, ndërsa në vitin 2025 numri është rritur në 7,526.
Megjithatë, në asnjërin prej këtyre dy viteve nuk është arritur objektivi fillestar i Qeverisë për punësimin e 10 mijë të rinjve në vit. Në vitin 2024, numri i përfituesve ka qenë 3,259 më i ulët se objektivi, ndërsa në vitin 2025 kanë munguar 2,474 përfitues për të arritur shifrën e synuar.
Rritja e numrit të përfituesve është shoqëruar edhe me rritje të shpenzimeve publike për skemën. Sipas APRK-së, gjatë vitit 2024 janë subvencionuar gjithsej 9,830,356 euro, përmes 35,361 pagesave të realizuara për përfituesit e skemës. Në vitin pasues, shpenzimet janë rritur në 17,341,284 euro, ndërsa numri i pagesave ka arritur në 49,546.
Për vitin 2026, Qeveria ka planifikuar 25.8 milionë euro për Masat Aktive të Tregut të Punës, Garancinë Rinore dhe skemat e tjera të punësimit. Kjo shumë nuk i referohet vetëm “SuperPunës”, por përfshin edhe masat dhe skemat e tjera të punësimit.
Përveç subvencionimit, programi parashikon edhe monitorimin e përfituesve në vendet e tyre të punës. Sipas APRK-së, monitorimi kryhet nga Zyrat e Punësimit përmes këshilltarëve të punësimit, ndërsa për këtë qëllim janë angazhuar 85 anëtarë shtesë të stafit.
Kontrollet kanë për qëllim të verifikojnë nëse përfituesi është fizikisht i pranishëm në vendin e punës, nëse kryen detyrat që janë përcaktuar në marrëveshje, nëse respekton orarin dhe nivelin e angazhimit të kërkuar, si dhe, kur është e mundur, të marrin vlerësime nga punëdhënësi për performancën dhe përkushtimin e tij.
APRK ka bërë të ditur se raportimi për monitorimet bëhet çdo muaj në Sekretariat. Megjithatë, agjencia thekson se deri tani nuk është bërë ndonjë vlerësim i efektshmërisë së skemës, ndërsa sa i përket zbatimit të saj, bazuar në raportimet e monitorimit, programi vlerësohet si i mirë, meqë sipas APRK-së po respektohen termet dhe kushtet e përcaktuara.
Vetëm gjatë vitit 2025 janë realizuar 7,331 monitorime, të cilat kanë shërbyer për të kontrolluar respektimin e kushteve të programit në vendet e punës.
Shqetësimet e bizneseve: vonesat në pagesa dhe kërkesa për zgjatjen e programit
Përderisa të dhënat zyrtare tregojnë rritje të numrit të përfituesve dhe të shpenzimeve për “SuperPunën”, nga sektori privat janë ngritur shqetësime për mënyrën e funksionimit të skemës.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka raportuar probleme teknike që, sipas saj, po shkaktojnë vonesa dhe paqartësi në procesimin e pagesave për punëtorët e angazhuar përmes programit.
Kryetari i kësaj organizate, Besart Dreshaj, ka thënë se një numër i bizneseve i janë drejtuar Lidhjes së Bizneseve me ankesa për vështirësi në ekzekutimin e pagesave.
Sipas tij, problemet nuk lidhen vetëm me procesin e pagesës, por edhe me funksionimin e sistemit të programit dhe bartjen e të dhënave nga sistemi i “SuperPunës” në sistemin e pagesave.
Kjo situatë, sipas Dreshajt, po krijon konfuzion ndërmjet punëdhënësve dhe të punësuarve, veçanërisht sa i përket statusit dhe ekzekutimit të pagesave.
Megjithatë, përkundër këtyre problemeve, Lidhja e Bizneseve të Kosovës nuk e konsideron “SuperPunën” një program të dështuar. Dreshaj vlerëson se skema ka dhënë rezultate, veçanërisht për personat që hyjnë për herë të parë në tregun e punës.
Një nga ndryshimet që bizneset kërkojnë është edhe zgjatja e periudhës së subvencionimit nga gjashtë muaj në një vit.
Sipas Dreshajt, një periudhë më e gjatë do t’u jepte të rinjve më shumë kohë për të fituar aftësi dhe përvojë praktike, për t’u përshtatur me kërkesat e tregut të punës dhe, në fund, për të pasur më shumë mundësi për të siguruar një vend pune të qëndrueshëm.
“Si Lidhje e Bizneseve të Kosovës, kemi kërkuar që të bëhet periudha njëvjeçare, sepse kjo periudhë do t’u japë mundësi të rinjve të përgatiten për tregun e punës dhe të bëhen të gatshëm për të kontribuar, si dhe të sigurojnë më pas një vend pune të qëndrueshëm”, ka deklaruar Dreshaj.
Përveç zgjatjes së periudhës së programit, përfaqësuesi i bizneseve ka kërkuar edhe reduktimin e burokracisë dhe thjeshtimin e procedurave që lidhen me punësimin e të rinjve. Sipas këtij qëndrimi, një funksionim më i thjeshtë administrativ do ta bënte skemën më efikase si për punëdhënësit, ashtu edhe për përfituesit.
IdeoNgritja mbështetet përmes skemës së granteve Digital Spark, në kuadër të projektit Regional Support Mechanism EECA, i zbatuar nga Metamorphosis Foundation dhe TechSoup, në partneritet me CIVICUS dhe në kuadër të iniciativës Digital Democracy Initiative (DDI), e cila mbulon vendet e Jugut Global.

