Nga: Sefer Zogaj

Një 27-vjeçar nga Bangladeshi i cili ka shkruar në kushte anonimiteti për platformën “ideoNgritja”, është ankuar për kushtet e vështira në vendin e punës.

Ai ka thënë se në shumicën e rasteve punon më shumë se 8 orë në ditë, pa marrë parasysh kushteve të punës.

“Gjatë verës kemi qëndruar në punë në temperature të larta nga ora 8 deri në ora 19 shumë shpesh”, ka shkruar ai në rrëfimin e tij në gjuhën angleze.

Tutje, ai është shprehur i frikësuar që të flas para kamerave, por tha se shpesh po përballet me urdhra të ashpër nga menaxherët e pikave të ndërtimit.

“Janë shumë të ashpër, shpesh po bërtasin”, ka rrëfyer ai.

Po ashtu, ai ka thënë se në një banesë ku qëndrojnë me 65 metra katror, banojnë 6 punëtorë.

A ka rrezik për ksenofobi?

Një 24-vjeçar nga Turqia, punon si taksist në Prishtinë. Ai nuk është ankuar në platformë, por ankesën e ka shprehur teksa pasagjer kishte gazetarin e “IdeoNgritjes”.

Shtetasi turk ka një shqetësim tjetër, ai thotë se po ka raste ku edhe po fyhet nga qytetarët.

“Po ndodh të fyhemi në baza racore dhe fetare”, përshkruan ai me një anglishte të kuptueshme të cilën thotë se e përdor për të zhvilluar jetën në Prishtinë.

Ai ka thënë se fitimin e ka të kënaqëshëm në punë, duke shtuar se ka raste që punon edhe gjatë natës.

Por, problemin thotë ai ta ketë me mënyrën sesi po i qasen pasagjerët atij.

Si qëndron çështja e migrimit në Kosovë?

Vitet e fundit, Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me ndryshime demografike dhe emigrim të theksuar të fuqisë punëtore vendore, gjë që ka shtyrë shumë biznese t’i drejtohen punësimit të shtetasve të huaj.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migrimin (IOM), lëvizja e migrantëve në rajon ka shënuar rritje të madhe, ku në vitin 2022 janë regjistruar mbi 192,000 migrantë.

Në këtë dinamikë, Kosova nuk është më vetëm një pikë tranziti, por po shndërrohet gradualisht në një destinacion pune. Shpërndarja e punëtorëve të huaj sipas kombësive lidhet drejtpërdrejt me sektorët e ekonomisë.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) tregojnë se numri më i madh i lejeqëndrimeve për punë u lëshohet shtetasve nga Turqia, Bangladeshi, Filipinet, India dhe Myanmar.

Punëtorët nga Turqia janë të pranishëm në sektorë me përgatitje profesionale si shëndetësia, arsimi, inxhinieria dhe menaxhimi. Punëtorët nga Bangladeshi dominojnë kryesisht në ndërtimtari, ata nga Azia në gastronomi e hotelieri, ndërsa gratë nga Filipinet punësohen më së shumti në sektorin e shërbimeve dhe kujdesit shtëpiak.

Për sa i përket kornizës ligjore, Ligji për të Huajt dhe Ligji i Punës garantojnë se punëtorët ndërkombëtarë gëzojnë të drejta të barabarta me punonjësit vendas. Kjo përfshin mosdiskriminimin, të drejtën për kontratë pune me shkrim, pagën minimale të përcaktuar me ligj, sigurinë në punë dhe rregullimin e orarit të punës.

Lejet e punës afatshkurtër (deri në 90 ditë) lëshohen nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) mbi bazën e një oferte ose kontrate pune nga punëdhënësi.

Pavarësisht kornizës ligjore, praktika përballet me sfida të shumta. Ndër problemet kryesore të evidentuara janë rekrutimi përmes agjencive ndërmjetëse nga vende fqinje si Shqipëria e Maqedonia e Veriut, ku në disa raste punëtorët kalojnë në rrugë joformale ose përballen me mospërputhje mes kushteve të premtuara dhe realitetit.

Hoxha: Të ketë më shumë vëmendje për kushtet e punëtorëve të huaj në Kosovë.

Sipas Brikenë Hoxhës, drejtoreshë e Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), rritja e numrit të punëtorëve të huaj në Kosovë duhet të shoqërohet edhe me vëmendje më të madhe ndaj kushteve në të cilat ata punojnë dhe nivelit të mbrojtjes që u ofrohet.

“Diskutimi nuk duhet të mbetet vetëm te pyetja se sa punëtorë të huaj po vijnë në Kosovë. Pyetja po aq e rëndësishme është në çfarë kushtesh po punojnë dhe sa janë realisht të mbrojtur”, thotë Hoxha.

Punëtorët migrantë janë të angazhuar në sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtim, prodhim, gastronomi, mirëmbajtje e pastrim, por edhe në punë shtëpiake dhe kujdes familjar. Hoxha thotë se problemet me të cilat përballen ndryshojnë varësisht nga sektori dhe lloji i punës.

Vëmendje të veçantë, sipas saj, kërkojnë gratë nga Filipinet që punojnë si dado, në kujdes familjar apo në mirëmbajtje shtëpiake. Duke qenë se puna e tyre zhvillohet kryesisht brenda shtëpive private, këto raste janë më pak të dukshme për mekanizmat tradicionalë të inspektimit dhe mbikëqyrjes.

“Kemi evidentuar edhe raste kur ajo që shkruhet në kontratë nuk përputhet me punën që kryhet në praktikë. Ka raste kur punëtoret figurojnë në kontratë si pastruese apo asistente, ndërsa realisht kryejnë punë shtëpiake ose të kujdesit”, thotë Hoxha.

Sipas saj, mospërputhja mes kontratës dhe punës që kryhet në praktikë nuk është vetëm çështje formale, pasi mund të ndikojë drejtpërdrejt në të drejtat që punëtori mund t’i kërkojë nga punëdhënësi.

“Kontrata nuk duhet të jetë vetëm një dokument që mundëson punësimin apo qëndrimin, por duhet të pasqyrojë marrëdhënien reale të punës”, thekson ajo.

Një tjetër çështje që ngre shqetësim është mënyra e rekrutimit. Të dhënat e IOM-it, të përdorura në analizën e IKS-së, tregojnë se 58 për qind e punëtorëve migrantë të anketuar kishin aplikuar për punë përmes agjencive të rekrutimit, ndërsa tarifa mesatare e paguar në vendin e origjinës ishte rreth 2,800 euro. Po ashtu, 15 për qind e të anketuarve deklaruan se punëdhënësi nuk i kishte respektuar kushtet e marrëveshjes.

Hoxha thotë se këto të dhëna duhet të shihen edhe në raport me barrën financiare që marrin përsipër punëtorët para se të mbërrijnë në Kosovë.

“Në një situatë të tillë, punëtori mund të ndihet i detyruar të qëndrojë në një vend pune edhe kur kushtet nuk janë ato që i janë premtuar”, shprehet ajo.

Ndër shqetësimet më serioze të evidentuara janë edhe rastet e mbajtjes së pasaportave dhe dokumenteve personale nga punëdhënësit. Sipas Hoxhës, raste të tilla janë hasur te punëtoret e angazhuara në mirëmbajtje shtëpiake dhe kujdes familjar, përfshirë dado nga Filipinet, por edhe te punëtorët e huaj në sektorin e ndërtimit.

“Kjo është veçanërisht shqetësuese, sepse kur një punëtor nuk e ka pasaportën apo dokumentet e veta në dispozicion, krijohet një raport shumë më i madh varësie ndaj punëdhënësit. Dhe kur nga i njëjti punëdhënës varen puna, strehimi dhe dokumentacioni, mundësia e punëtorit për t’u larguar nga një situatë abuzive apo për ta raportuar atë bëhet shumë më e kufizuar”, thotë Hoxha.

Për këtë arsye, sipas saj, kontrolli nuk duhet të ndalet te ekzistenca e një kontrate pune, por duhet të shtrihet edhe te zbatimi i saj në praktikë. Kjo nënkupton verifikimin e pagesës, orarit të punës, kompensimit për orët shtesë, pushimeve, kushteve të banimit dhe respektimit të standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Hoxha ka shtuar tutje se problem mbetet edhe mungesa e koordinimit të mjaftueshëm ndërmjet institucioneve që merren me migracionin, punësimin dhe inspektimin e punës.

“Nevojitet koordinim më i mirë ndërmjet institucioneve që merren me migracionin, punësimin dhe inspektimin e punës, në mënyrë që hyrja e një punëtori në tregun e punës të shoqërohet edhe me mbrojtjen efektive të të drejtave të tij”, thotë ajo.

Ajo kërkon gjithashtu mbikëqyrje më të mirë të agjencive dhe ndërmjetësuesve të rekrutimit, mekanizma të sigurt për raportimin e shkeljeve dhe informim të punëtorëve në gjuhët që ata i kuptojnë.

Për punëtorët e angazhuar në punë shtëpiake dhe kujdes familjar, sipas Hoxhës, nevojiten edhe forma më të përshtatshme të mbikëqyrjes, pasi vendi i punës është një hapësirë private dhe inspektimi tradicional është më i vështirë.

“Punëtorët e huaj po plotësojnë mungesa reale të fuqisë punëtore dhe po kontribuojnë në ekonominë tonë. Prandaj, debati nuk duhet të jetë vetëm sa prej tyre po vijnë, por çfarë kushtesh po u ofrojmë kur vijnë këtu. Të drejtat dhe standardet e mbrojtjes në punë duhet të vlejnë njësoj për çdo punëtor, pavarësisht shtetësisë së tij”, ka deklaruar Hoxha.

IdeoNgritja mbështetet përmes skemës së granteve Digital Spark, në kuadër të projektit Regional Support Mechanism EECA, i zbatuar nga Metamorphosis Foundation dhe TechSoup, në partneritet me CIVICUS dhe në kuadër të iniciativës Digital Democracy Initiative (DDI), e cila mbulon vendet e Jugut Global.